NAXHIJE DOÇI
Naxhije Doçi është e lindur në Suharekë (Therandë), në familjen atdhetare Bajraktari të Therandës.
Naxhije Doçi shkollën fillore e kreu në vendlindje, në Suharekë të mesmen, Normalen në Prizren, Fakultetin Filologjik-Gjuhë e Letërsi Shqipe, në Prishtinë. Është e martuar me Prof. Dr. Rexhep Doçi dhe jeton në Prishtinë.
Mbi 30 vjet ka punuar profesoreshë në shkollat fillore dhe të mesme të Prishtinës. Nga viti 2000 ka punuar Shefe në Drejtorinë e Arsimit- Prishtinë dhe Zëv. Drejtoreshë.
Naxhije Doçi ka të botuara 15 libra me poezi e publicistikë, si edhe tri libra shkollore për shkollat fillore: Fletore pune e gjuhës shqipe për klasë e tretë dhe të katërt, si edhe një libër leximi për klasë e tretë. Ka marrë pjesë në shumë tubime letrare e shkencore në Kosovë, Maqedoni e Shqipëri dhe ka zënë mbi 20 Vende, e ka marrë më se tetëdhjetë (80) Mirënjohje.
Naxhija Doçi është në pension dhe jeton në Prishtinë.
ATY ISHTE CAKU YNË
Nën strehën e shtëpisë së përgjumur
të qytetit të lashtë
buzë Lumbardhit legjendar
aty ishte caku ynë
në thurje ëndrrash dashurie
dhe komponim melodish me shpresa.
Kurrë nuk ndërruam vend tjetër
as njëri-tjetrin.
rrënojë-kështjella përballë
buzëqeshje zemre reflektonte.
Shtëpia e atdhetarit të paepur
i thoshin ata që e njihnin historinë e saj
mbetur relikt dhembjeje
nga stuhitë e moteve të trishta
dhe injorimet skandaloze.
Nën strehën magjepse
ërfalur hënëplotës flokartë ngjallnin vrullet
në thyerje portash memece
dhe shprishje etjesh të djegura
për trasim rrugësh me rreze drite.
Mallkimet e kohëve të vetmuara
në rrjetë merimangash kapërthyer
me ritme zemre i trandëm,
udhëtarë hovesh të vrara i bëmë.
JETËSHKRIMI IM
U linda në kullën e gurtë të bajrakut
rrëzë Gardhinës plakë
me pirgje shekujsh në pamundësi numërimi,
dhe gjysh e stërgjysh rënë ndër beteja
për tokë dhe rrënjëthella mëtimi
pellazde-ilire-shqiptare.
përmallime të zjarrta kam për ta.
Gjuhën ma mësoi shqiponja e moteve
me bekimin e zotave të mi të parë
pasha tokë e qiell!
Gjyshja në sofrën e shtruar të bujarisë
përbehej me hirësinë e falënderimit
edhe pasha bukë e kripë e dritë e diell!
Është vullnet i shkruar i Zotit,
thënie kur qesh lindur unë,
me refrenin pastë fat në jetë më bekuan.
Megjithatë, në shpirtin virgjëror apokalips
nuk kishte krismë pushkësh në traditë
kur gëzoheshin edhe trerët e kullës
për përtëritjen e mirëfilltë të rrënjëve.
Në vetëdijen e tronditur eklipsesh
shtiza e bajrakut në pritje të dorës së trimit
për beteja të reja,
që nuk kishin kurrë të ndalur.
SHTËPITË–SHKOLLA NË KOSOVË
Në gjysmën e viti 1991
në Kosovën ngulfatur frymimit të lirë
segregacion i padëgjuar
dhe zymti trishtuese me tanke e egërsi
të uniformave serbe gri
lokalet shkollore uzurpuar
për shqiptarët mollë e ndaluar.
Në errësira eklipsesh skllavërie
grishja e stinës me rreze dielli,
qëndresë dhe shenjtëri.
Populli ndezur bujarish krenare,shtëpitë e veta,
ato çerdhe intime familjare
shkollë-zemre i bëri për brezat e rinj
legjendës për t’ia shtuar idhujt e bardhë
Kosovës mbijetimin me hukamë purpuri.
Jeta në to gumëzhinte dimër e verë
nga engjëjt krahëshqiponjë vrullesh gufuar
për absorbim diturish me shije nektari
prapa për të mos mbetur
me hapa kohësh për të ecur.
Në dhoma të vogla nevojash jetësore
mësimin e dëgjonin
ulur në dysheme,
pa banka shkollore,
e në mungesë të tyre,
në prehër i hapnin librat
dhe shkruanin në fletore.
TI LARGPAMËS I KOHËS SË RE
(Babait tim letrar e atdhetar)
Kalorës në kalë të bardhë në dymijëvjeçarë
me vrulle të vullkanizuara
në gjakim të dritës
mbi hartën e shkafnjyer të atdheut
nga golgota serbe e egërsisë.
Në qelitë e burgut
me hekura të ndryshkur e mugëtirë llahtarie
rrudhat në ballë shkallë-shkallë
nga dhembjet muranë për dheun arbëror.
Ti largpamës i kohës së re
në heshtjet vetmitare të stinëve të vrara
thurje vargjesh të kallura
për trimëritë e gjyshërve nëpër kohë
për ata rrënjës mbretërorë.
Në gjuhë Zotash të parë
për zot të vetvetes
dhe për dashuri njerëzore ligjëroje
dhe fjala jote simfoni
në shembje errësish mëkatare.
Ti largpamës i kohës së re,
në mijëvjeçarin e tretë, trofe,
feniks mbi lojërat e shekujve
për Kosovën nuse me kurorë.
LUMI I KOHËS
Lumi i kohës vetëm rrjedh
rrjedh vjeshtë e dimër
pranverë e verë,
nuk mbanë mend kush para t’i ketë dalë
kohë-lumit me suvalë
rrjedhën për t’ia ndërprerë.
Të gjithë shkrihen
në risinë e valë-lumit të kohës
dhe ndërrojnë ngjyrë flokësh
nga bardhësitë e shkumës së tij.
Moteve rinore më vrulle vrapova
kohën për ta puthur në ballë,
me të për të ecur.
erërat e pluhrosura më ngatërruan,
u nxitove - më thanë!
Unë megjithatë shkelja pa hamendje
mbi trupin e bindjeve të kota
në ruajtje reliktesh të shenjta.
Lot-krojet e nënave tona
me ngrohtësi shprese i kurova
për buzëqeshje mëngjeseve të bardha.
Nuk ishte lehtë, ishte shumë vështirë
urrejtjet dhe mallkimet e atyre
që lumin e kohës me presa e ndajnë
N’aromë lulesh prilli për t’i shkrirë.
Ciklin poetik, e përgatitipër botim Abdulla Troshupa